Fuqia e bjeshkëve

Jemi mësuar të joshemi nga këto pamje kur flasim apo kur dëgjojmë për Bogën e Rugovës, apo për Bogën e Kosovës, siç jemi mësuar ta shqiptojmë. Dëbora, pista e skive dhe teleferiku janë pjesë e kryefjalës nëse pyesim njerëzit që e zgjedhin këtë vend për pushime.

Adrenalina e skiimit në këto vise është si një përrallë që e dëgjon të rrëfehet njëlloj si në Alpet e Zvicrës apo ato të Austrisë. Por, A2 ka zgjedhur që të tregojë një anë tjetër të kësaj zone, Bogën e një stine tjetër, ku lidhja me natyrën bëhet shumë e fortë, ku malet jehojnë një qetësi solemne apo tingullin e një lahute e ku zhurma e ujit që formon kanionin nuk e pengon piknikun familjar apo një takim romantik.

Para se të nisemi nga Tirana, informohemi për rrugën dhe për hotelerinë në Bogë. Na tregojnë se rruga është e mirë dhe hoteleria po ashtu. Ne zgjodhëm udhëtimin nga Prizreni drejt Pejës, e fill pas kësaj në rrugët ku kanioni të josh prej së larti, ku kalon edhe makina. Rruga është e asfaltuar deri në hotelin më të madh të Bogës, në Magra Austria. Aty, jashtë në oborrin që mahniste me ajrin e Bjeshkëve, na pret pronari Skënder Thaçi. Nuk ndodh shpesh kështu, por në Bogë e gjetëm këtë mikpritje. Dhe jo vetëm ne. Sa kohë pronari ishte aty, ai kujdesej t’i mirëpriste të gjithë ata që kishin zgjedhur të ndalonin aty.

Hoteli ndodhet 1450 metra mbi nivelin e detit dhe shpresoj që ky ajër t’ju bëjë të harroni 1450 shqetësimet që mbartni me vete, na thotë Thaçi, i cili na tregon përvojën e tij, që ndonëse jeton mes Austrisë dhe Tiranës, zgjedh gjithnjë Bogën për të qenë më i shëndetshëm.

Menduam se Magra Austria ishte vetëm një hotel natyral, ku kujdesi, lidhja dhe dashuria me natyrën janë parësoret, por me prezantimin që ai i bën këtij sistemi të madh hotelerie zbulojnë edhe përvojën kurative austriake që ai ka sjellë në Bogë. Por, këto do t’i zbulojmë ditën e tretë të qëndrimit në këtë vend.

Skënder Thaçi tregon se në Bogë e para është natyra, e pastaj investimi dhe mundi i gjithë familjes së tij në këtë biznes. Ndaj, dita e dytë e qëndrimit në Bogë do të jetë nëpër bjeshkë. Ato janë kryefjala për të. Ajri dhe magjia që ofrojnë majat e larta janë shumë më shumë se shërbimet, pasi shërbimet me të cilat do të prezantohemi janë respekti që këta banorë-investitorë kanë për këto vise.

Ndaj, mëngjesi i parë në Bogë na gjen vetëm me një plan, të shijojmë majat e larta të bjeshkëve, deri aty ku mundemi të ngjitemi, deri aty ku dallojmë kufirin me Malin e Zi. Mëngjesi i parë na gjen me shoqërues, banorë dhe besnikë të atyre viseve, që ndonëse mund të kishin rregulluar jetën e tyre kudo tjetër, nuk e braktisën kurrë këtë vend.

Shtigje të hershme, të pjerrëta, përshkojnë grykat malore dhe kullotat alpine, që shtrihen deri në Mal të Zi dhe Shqipëri, i kanë falur kësaj treve një ngjyrë aventure. Kthimi pas nuk është aspak i njëjtë me ngjitjen në majat e larta. Çdo gjë duket ndryshe në kthim. Një burim uji që rrjedh nga malet që na ka shpëtuar në ngjitje, e gjejmë rrugës për në hotel. 

Uji me përmbajtje kripe si dhe me esenca bimore kuruese kullohet nëpër degë bredhash, duke përthithur kështu rreshira aromatike dhe vajra eterike. Uji duke pikuar luan një rol gati të ngjashëm me avullin që shqiptarët kanë përdorur në shtëpi për të zhbllokuar rrugët e frymëmarrjes. Por, e kombinuar me aromën e bredhit, kjo metodë depërton deri në bronke. Pas 15-20 minutash ju do të ndjeni efektin e parë pozitiv. Dhoma tjetër që vizitojmë është dhoma e banjës me sane. Mjafton të zhvisheni dhe të mbuloheni me këtë material dhe trupi stimulohet pa e sforcuar deri në djersitje, duke shkaktuar kështu çlirimin nga helmet dhe dhjamosjen e tij. Në temperaturë prej rreth 40 gradë Celsius dhe kohën e trajtimit prej 40 minutash, poret e lëkurës hapen dhe pas trajtimit, trupi fërkohet në të thatë pa u shpëlarë me ujë, me qëllim që lëndët ndikuese të mbulesës magjike të bëjnë efektin e vet. Këshillohet një pushim prej 15 minutash pas trajtimit, përgjatë të cilit duhet të pihet shumë çaj.

E ndonëse pishinën, jakuzin apo saunën normale do ta gjeni bosh, këto alternativa më të shendetshme do t’ju joshin më shumë. Ashtu sikurse ambientet për të rritur e për të vegjël që ofron e gjithë Boga e Rugovës së Kosovës do t’ju ofrojë për t’u qetësuar.