Marrëveshja në Uashington, Haradinaj: Një hap përpara, tani radhën e ka BE-ja

SINK HARADINAJ SHBA frame 462 1100x620
Haradinaj

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shprehet se vendi hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Uashington. Sipas tij, me njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan lidership botëror që konfirmon interesin strategjik për paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Haradinaj shton se Kosova pret që edhe BE-ja të tregojë përkushtim dhe seriozitet të njëjtë për të lehtësuar procesin e njohjes nga shtetet e saj.

E po ashtu, edhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:

Qytetarë të dashur,

Kosova hodhi një hap të madh përpara me marrëveshjen në Ëashington. Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran.

Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim.

I juaji, Ramush Haradinaj.