Një shfaqje për Kombinatin, le të konkurrojnë të gjithë për një projekt europian

Në një kohë të vështirë, ku pandemia paralizon artin, thirrjet për projekte jashtë sezoneve artistike janë e vetmja mundësi për artistët.

Dhe një mundësi të tillë artistëve shqiptarë po ua jep teatri i Metropolit në Tiranë, që bashkë me Italinë dhe Malin e Zi kanë fituar një projekt bashkëpunimi.

“Fokusi i projektit, që zgjat 14 muaj, është në radhë të parë hulumtimi i identitetit lokal të gjithsecilit, dhe më pas për të pasur një precedent pozitiv të standardit ndërkombëtar të një institucioni shqiptar që merr pjesë në nivele të tilla. Përzgjedhja e aktorëve do të bëhet nga një bord artistik që ka përfaqësues nga të gjithë partnerët, ka pasur shumë aplikime”, thotë drejtoresha e teatrit Metropol, Jonida Beqo.  

Jonida Beqo, drejtoresha e teatrit Metropol

Teatri i Metropolit ka vendosur që këtë herë kryefjala e një shfaqjeje artistike të jetë lagjja e Kombinatit, në kryeqytet.  “Lagjja ka një histori shumë specifike, me prejardhje nga e gjithë Shqipëria dhe mënyra shumë specifike se si është zhvilluar zona dhe kultura në atë zonë”, sqaron Beqo.

Ky projekt bashkëpunimi do të finalizohet me një shfaqje që nuk do të rrugëtojë vetëm në Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi, por në disa vende të Europës.

Salvatore Tramacerre, drejtori i teatrit të Lecces

 “Është një projekt i ri, por edhe i hershëm, i menduar gjatë për shkak të bashkëpunimeve të mëhershme që kemi pasur me teatrin e Metropolit. Jam i bindur se do të gjejmë gjuhën e përbashkët artistike që pas 14 muajve të mund të sjellim një shfaqje të përbashkët që do të udhëtojë në teatrot europianë,  jo vetëm në vendet tona”, thotë për A2 Salvatore Tramacerre, drejtori i teatrit të Lecces.

Kjo nuk është hera e parë që teatri i Metropolit bashkëpunon me trupën e rajonit të Pulias dhe me partnerë të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri edhe për të dhënë eksperiencën e tyre.