Operatorët turistikë të jugut: Kosova, Bjellorusia dhe Ukraina shpëtuan sezonin veror

Sezoni turistik i këtij viti pandemik, ndonëse rezultoi brenda pritshmërive të operatorëve turistikë, mbeti në kuotën e 50%, ose sa gjysma e sezonit të vitit të kaluar.

Operatorët turistikë vazhdojnë të shpresojnë që sezoni të vijojë deri në fund të muajit shtator, edhe pse prenotimet nuk e favorizojnë shumë këtë shpresë. Por, fakti që sezoni filloi me vonesë shton shpresat për një zgjatje edhe gjatë muajit shtator.

Me sa duket, këtë sezon të përgjysmuar e kanë shpëtuar shqiptarët e Kosovës dhe rajonit, ndërsa ka patur shtim të turistëve nga Bjellorusia dhe Ukraina në bregdetin e jugut. Vasil Bedini, kryetari i Operatorëve Turistikë të Jugut, shprehet: “Bashkatdhetarët tanë të Kosovës kanë qenë në masën 70% nëpër hotele. I falenderoj dhe e ndjej veten borxhli ndaj tyre. Edhe Ukraina dhe Bjellorusia kanë pasur shifra më të larta sesa vitet e kaluara”.

Ndërkohë, zgjatja e sezonit në 12 muaj të vitit është një kërkesë që operatorët turistikë i kanë drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, kërkesë e cila pretendon edhe një kualifikim të personelit të shërbimit që shikohet si pika më e dobët e subjekteve akomoduese në bregdet.