Rifillon Kuvendi, Covid-19 kushtëzon sërish punën normale parlamentare

Kuvendi nis pasditen e së hënës sesionin e parafundit të kësaj legjislature, para se të kalojë në zgjedhje të përgjithshme. Për shkak të koronavirusit, distancimi social do të jetë pjesë e pandashme e seancave.

Ashtu si para pushimeve, deputetët do të shpërndahen edhe nëpër llozha për të reduktuar kontaktet mes tyre.

Teknologjia, si forma më e avanacuar për të arritur te elektorati, duket se do të përdoret gjatë. Madje, edhe pas pandemisë.

Por, përveç nismave të rëndësishme si përshtatja e Kodit Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën, ngritja e KQZ-së së re, tensioni politik pritet të ngrihet me afrimin e datës së zgjedhjeve.

Në Shqipëri, gjuha politike është e ashpër, por si në çdo fundmandati ajo bëhet edhe më agresive. Formalisht, Edi Rama ka dy opozita përballë, ndërsa subjekte të reja politike janë në formim. A do të ketë ndryshim të skenës politike deri vitin që vjen? Në fund të katër viteve, ditën e votimit vendimmarrja rikthehet tek qytetarët.