Strazimiri: Edi Rama gjobit shqiptarët me 44 milionë euro për interes të mikut të tij dhe të Taulant Ballës

strazimiri 1100x620

Partia Demokratike akuzon qeverinë se do të rëndojë xhepat e shqiptarëve me dëmshpërblimet që duhet të paguajë për humbjen në Arbitrazh me kompaninë që do të ndërtonte rrugën Tiranë-Elbasan.

Nga Selia Blu, ish-deputeti Gent Strazimiri tha se shkak për këtë padi u bë favorizimi për miqtë e Taulant Ballës.

“44 milionë euro është fatura e re që do të paguajnë shqiptarët për Edmond Begon, mikun e Taluant Ballës dhe të Edi Ramës. Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar ka dënuar shtetin shqiptar pas padisë së kompanisë greke Aktor, e cila kishte fituar tenderin për të kryer punimet në rrugën Tiranë-Elbasan. Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës, “Inerte Ekspress” të Begos, vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke Aktor, e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria, u largua pa marrë asnjë pagesë”, tha Strazimiri.

Por, vetë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar duke paralajmëruar padi për Partinë Demokratike dhe mediat që kanë abuzuar, sipas tij, me lajmin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

“Arbitrazhi për rrugën Tiranë-Elbasan përmban kontrata të realizuara nga Saliu, ish-Ministri i Transporteve i asaj kohe si dhe shtesa kontratash të kërkuara nga Saliu me gojë. Kështu ishin të gjitha rrugët e lëna rrugëve. Sa për mua personalisht, unë e di rrugën që duhet ndjekur me sojin e tyre. Quhet Rruga e Gjykatës. Të jetë drejtësia atje ku do dale në shesh përsheshi i radhës”, ishte reagimi i Ballës.