Vrasja e 23-vjeçares në 2012, Gjykata jep masën e arrestit me burg për Faik dhe Shkëlzen Buçin

Faik Shkelzen Eglentina Buci 1100x620

Të qetë dhe pa shfaqur asnjë shenjë pendese, Faik dhe Shkëlzen Buçi kanë dalë përpara gjykatës për masën e sigurisë për vrasjen e Eglantina Buçit në vitin 2012. Gjatë seancës të dy të pandehurit nuk e kanë pranuar krimin. Gjykata pasi dëgjoi të dyja palët vendosi arrest me burg për babë e bir.

Avokati i të pandehurve deklaroi se ata nuk kanë pasur kontakte me 23-vjeçaren që prej vitit 2009, pasi ajo ishte larguar nga banesa.

Faik Buçi u arrestua pas rrëfimit të një miku të Shkëlzen Buçit, i cili i kishte ndihmuar babë e bir për të vrarë dhe më pas për të varrosur në Malin me Gropa, Eglantina Buçin. Eshtrat e gjetura u dërguan në Kosovë, ku është përfituar një material gjenetik.

ADN-ja përputhej me atë të nënës së viktimës, duke provuar kështu shkencërisht se kufoma e groposur në Malin me Gropa i përkiste 23-vjeçares së zhdukur. Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë fakti se 23- vjeçarja ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me dikë, pa dëshirën e babait dhe vëllait.