Bjellorusi, vijojnë protestat, Lukashenko zëvendëson gazetarët rebelë me ata rusë

gazetaret bjelloruse 1100x620

Ndërkohë që protestat masive në Bjellorusi kanë vijuar edhe këtë fundjavë, tashmë opinionit publik në vendin ish-sovjetik  do t’i mungojë edhe ai pak informacion i balancuar që rezistonte në përshkrimin e situatës.

Ndërkohë që një javë më parë 19 gazetarëve bjellorusë që punonin si korrespondentë për mediat  ndërkombëtare iu hoq leja dhe dy të tjerë që punonin për Associated Press, janë transferuar në Moskë, Lukashenko ka filluar të spastrojë edhe mediat shtetërore nga elementet më liberale, duke i zëvendësuar me gazetarë rusë.

Gazetarë të shumtë të kanaleve si Belarus 1 ose Belarus 24, si dhe të radiove kombëtare janë pushuar nga puna ose janë shtyrë për të dhënë dorëheqjen, duke u zëvendësuar nga gazetarë të tjerë nga Moska, në veçanti ato të televizionit Russia Today, që përfaqëson instrumentin më të njohur të propagandës ruse në botë.

Lajmin e pohoi, pjesërisht, vetë Lukashenko. “I kërkova rusëve të na dërgonin dy-tri grupe gazetarësh, nuk i dihet kurrë” deklaroi ai, a thua se gazetarët janë trupa ushtarakë.

Por sipas njërës prej gazetareve bjelloruse tashmë pa punë, klima është pikërisht ajo ushtarake, edhe në rrëfimin mediatik. “Retorika ka ndryshuar. Mbulimi i ngjarjes ka marrë qasje radikale, dhe protestuesit përshkruhen me tone gjithmonë e më negative”, tregon Svetlana, e intervistuar nga Deutche Welle.

Gjatë fushatës zgjedhore, gazetarët tregojnë se kishin urdhra për të mos cituar në asnjë mënyrë emrat e kandidatëve opozitarë, dhe nuk i lejohej as të tregonin shifrat e vërteta të pandemisë së COVID-19.

Bjellorusia është përfshirë në vala masive protestash pas zgjedhjeve parlamentare të fituara nga Lukashenko, por që opozita akuzon për parregullsi të mëdha dhe për persekutimin e kandidatëve opozitarë.