Dialogu Kosovë-Serbi, diskutohet për asociacionin, ka përafrim për të zhdukurit

Pasi sigluan marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik, me bekimin e presidentit amerikan Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç u ulën edhe një herë në një tryezë së bashku, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Duke ruajtur momentumin e së premtes në Shtëpinë e Bardhë edhe ne Bruksel palët duket se kanë gjetur dakordësi mbi çështjen të tilla si ajo e të zhvendosurve, të zhdukurve dhe bashkëpunimeve ekonomike.

Vuçiç dhe Hoti konfirmuan gjithashtu se kanë hapur dy tema të reja, asocacionin e komunave serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Pas takimit kryeministri Hoti tha se ishte shënuar progres në hartimin e marrëveshjes finale mes dy vendeve për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke.

“Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Unë me kënaqësi them se është bërë progres në hartimin e marrëveshjes finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke”, tha Hoti.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje të vështira dhe palët kishin pikëpamje të ndryshme.

Sipas tij ishte pala serbe ajo që hapi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë temë do të diskutohet edhe në raundin e ri të bisedimeve, i parashikuar për në 28 shtator.

Presidenti tha se për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosurve, u diskutua mundësia e inspektimit të të gjitha arkivave, në mënyrë që të hetohet vendndodhja e eshtrave të 1,000 shqiptarëve dhe rreth 530 serbëve, të cilët konsiderohen si të zhdukur.