Efekti i pandemisë/ Frikë për shpenzime dhe investime, rriten depozitat

Krahas rritjes së depozitave, pandemia ka nxitur edhe një tjetër fenomen: atë të rritjes së parasë jashtë sistemit bankar.

E kuptueshme, nisur nga niveli i lartë i informalitetit të ekonomisë shqiptare. Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të korrikut, jashtë sistemit bankar qarkullonin 324 miliardë lekë, apo 41 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rritja ka nisur që në mars, kur zyrtarisht vendi u shpall i prekur nga COVID-19. Për ekspertin e ekonomisë, Enriko Ceko një qasje e tillë ishte e pritshme. Por, pandemia nuk është arsyeja e vetme pse 40% e parave të shqiptarëve qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. 

Me rihapjen e ekonomisë, pritej që gradualisht ky volum i parasë në qarkullim të rikthehet në sistemin bankar, çka në një reaksion zinxhir do të përkthehej në më shumë kredi për ekonominë. Por për ekspertët, bankat nuk vuajnë sot për para dhe arsyet pse nuk janë hua për qytetarët dhe bizneset janë të tjera. 

Ekspertët shpjegojnë se niveli i parasë në qarkullim ndryshon nga njëra ekonomi te tjetra. Por në finale, e rëndësishme është që ky fluks kapitali të vihet në funksion të ekonomisë, diçka që në vendin tonë sot nuk po ndodh. Përkundrazi, investimet private janë gjithmonë e më të tkurrura.