Gjyqtarët e shkarkuar të Apelit “harrojnë” të arsyetojnë vendimet, Visha: Vepër penale, të kthehen

Shkarkimi i gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit nga vetting-u, përveç dërgimit të tyre në prag kolapsi, ka ngjallur edhe një tjetër problem: mbetjen e dhjetra vendimeve gjyqësore të pazbardhura.

Bëhet fjalë për vendime të shpallura pak para se gjyqtarë të caktuar të shkarkoheshin, vendime që kanë mbetur në sirtare të paarsyetuar. 

“Kemi me dhjetra dhe qindra persona që ndodhen në paraburgim me statusin e të dënuarit, të cilët mund të kenë ngelur edhe 5 ditë, 10 ditë, 1 muaj, por nuk po arrijnë dot të lirohen apo të përfitojnë çdo lloj dënimi, derisa nuk kanë një vendim të formës së prerë, vendim që e jep Gjykata e Apelit. Pavarësisht se sot mund të ketë një handikap, ku gjyqtarët pretendojnë se mund të jenë larguar ngasistemi i drejtësisë. Vërtetë mund të jesh larguar nga sistemi i drejtësisë, por vendimet duhet që ata t’i dorëzojnë të arsyetuara”, thotë Saimir Vishaj. 

Sipas kreut të Shoqatës së Avokatëve Penalistë, gjyqtarët në fjalë po kryejnë një vepër penale: “Jemi në kushtet e një figure të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Herët apo vonë, të gjithë duhet të ngremë zërin”. 

Avokati Visha ka një thirrje për ta: “Të gjithë gjyqtarët që janë larguar duhet të rikthehen, të dorëzojnë dosjet, pasi, përveçse kanë një pagesë kalimtare si të shkarkuar derisa të dale vendimi i formës së prerë për veten e tyre, por i kanë sjellë dëm interesave të shtetit dhe interesave të individit”. 

Sipas ligjit, mosarsyetimi i vendimeve të gjykatës, mundtë çojë deri në pavlefshmërinë e tyre. Gjykatat e Apelit po vuajnë së tepërmi boshllëkun e krijuar në sistem nga procesi i vetting-ut.

Në mbledhjen e së martës të Këshillit të Lartë Gjyqësor do të shqyrtojë projekt-vendimet për verifikimin plotësimit të kushteve për 5 kandidatë për në Apelin e Tiranë, 3 për Apelin e Durrësit dhe një të Korçës. Kjo do të thotë që deri në emërimin e tyre do të nevojiten së paku më shumë se 3 muaj kohë.