Koronavirusi në Kosovë, Faik Hoti: Po hyjmë në një fazë të re

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, foli në A2 për situatën e pandemisë, duke u shprehur se në javët e fundit ka pasur një rënie të rasteve të reja dhe personave të vdekur. Ai thekson se Kosova po futet në një fazë të re.

“Në dy apo tri javët e fundit kemi pasur një rënie graduale të numrit të të infektuarve me Covid-19, kjo na bën që të kemi shpresa që numri do të ketë një tendencë rënëse edhe në ditët në vijim. Kemi pasur edhe rënie të numrit të viktimave gjatë kohëve të fundit, ndërsa presim që numri i humbjeve të jetëve të jetë edhe më i ulët. Po fillojmë të hyjmë në një fazë të re dhe shifrat na japin një lloj stabiliteti. Këto shifra na japin një frymëmarrje edhe në spitale. Është një trend pozitiv, i cili duhet të mbahet me një përkushtim të të gjithëve për zbatimin e masave”, u shpreh Hoti.

Më tej, Hoti shprehet se ulja e numrit të rasteve të reja është meritë e qytetarëve që kanë zbatuar masat.

“Gjatë korrikut dhe gushtit kemi pasur një situatë të vështirë dhe institucionet jo rrallë herë kanë fajësuar qytetarët, këtë herë do të thoshim se rezultatet pozitive janë sërish meritë e qytetarëve që kanë zbatuar masat, por përgjegjësi të madhe ka pasur edhe policia dhe inspektoratet përgjegjëse për zbatimin e masave dhe demaskimin e skeptikëve që mendojnë se nuk ka virus. Të shohim tashmë me fillimin e vitit shkollor se si do të shkojë situata”.

Hoti foli edhe për prekjen e mjekëve me Covid-19 në Kosovë. “Kemi në total 1400 bluza të bardha që janë prekur nga infeksioni, nga të cilët 9 mjekë, 7 infermierë dhe teknikë kanë ndërruar jetë. Megjithatë do të thoshim se numri i të infektuarve brenda bluzave të bardha sillet në ato nivele si edhe në vendet e tjera”.

Sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor dhe masave të marra, Hoti tha se problemi kryesor është ruajtja e distancave.

“Një nga problemet kryesore është ruajtja e distancave, ndërsa sa i përket maskave besoj se ndërgjegjësimi është i lartë. Kemi problem me ruajtjen e distancës në lokale të ndryshme dhe në restorante. Shtyrja e vitit shkollor u bë me të vetmin qëllim për informimin sa më të mirë të prindërve dhe të mësuesve, sidomos në krijimin e kushteve dhe edukimin e nxënësve për të mbajtur distancën. Fokusi kryesor është të ketë një edukim sa më të lartë”, tha Hoti.