PD: 10 milionë euro për mikun trafikant të Ballës, SPAK të hetojë skemën

WhatsApp Image 2020 09 07 at 13.52.22 1100x620

Partia Demokratike pretendon se gjatë punimeve për rrugën Tiranë-Elbasan, përmes një skeme të kundërligjshme, një person i cili nuk lejohet të marrë pjesë në tenderat publikë ka përfituar 10 milionë euro. Sipas ish-deputetes së PD, Albana Vokshi, ky është Edmond Bego, mik i deputetit socialist, Taulant Balla.  

“Autostrada Tiranë-Elbasan është një nga modelet sesi veprat më të mëdha publike janë përdorur nga qeveria e Edi Ramës për të futur në xhepat e pushtetarëve miliona euro përmes nënkontraktorëve të diktuar nga qeveria. Trafikanti i drogës, Edmond Bego, është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën. Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën. Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit”, tha Vokshi.

Sipas saj, rasti duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. “Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike. Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro. Për këtë drejtësia duhet të hetojë. SPAK dhe organet e tjera të hetimit duhet të verifikojnë të gjithë procedurën sesi i dënuari Edmond Bego ka marrë në shkelje të ligjit 10 milionë euro nga qeveria shqiptare. Duke zbardhur këtë aferë, prokuroria do të bjerë në gjurmët e Taulant Ballës dhe të vetë Edi Ramës, duke i bërë vendit një shërbim të paçmuar në luftën e vërtetë kundër korrupsionit. Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë. U interesojnë edhe shqiptarëve,  të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milionë eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar, për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan. Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla. Është koha për t’i dhënë fund me votë plebishitare qeverisjes që paguan 10 milionë euro trafikantin e drogës dhe ngarkon qytetarët më të varfër të Europës me gjoba korrupsioni”.