Rama rikthen debatin për detin në parlament: Ata që e lëshuan në marrëveshjen e parë më akuzojnë mua

7 SHTATOR PARLAMENT PJESA 1 frame 118245 1100x620

Gjatë fjalimit në seancën e parë të sezonit të ri parlamentar kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë çështjes së detit, e cila është kthyer në një nga temat më të nxehta të kësaj vere që pas deklaratës së kryeministrit grek në parlament.

Kreu i qeverisë përsëriti se momentalisht nuk ka asnjë marrëveshje me palën greke për detin dhe shtoi se nëse do të ketë ajo do të bëhet nga ekspertët dhe më pas do t’iu dërgohet autoriteteve me radhë për ta vlerësuar atë.

“Nisen me varka mono për të mbrojtur detin duke i rënë lopatës sa majtas djathtas. Po mbrojnë detin, por nga kush. Si ju iku deti. Mos keni parë që ka dalë gjë tokë atje ku bëni këto luftërat me varka. Deti aty është nuk ka lëvizur. Nuk është deti, toka ajri, një materie që mund të ndahet si tenderët kur LSI drejtonte ARRSH. Çfarëdo negociatash të bëhen, ato bëhen me persona të autorizuar, nuk bëhen si muhabet varkash. Dhe nëse arrihet një konkluzion ai paraqitet tek autoritetet. Dhe nëse një autoritet, si qeveria firmos marrëveshjen, një tjetër e gjykon atë marrëveshje që është presidenti. Pastaj është gjykata kushtetuese dhe më pas parlamenti i Shqipërisë”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama akuzoi drejtpërdrejtë Ilir Metën, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën se e lëshuan detin me marrëveshjen e parë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe sot dalin dhe flasin për një marrëveshje të re që ende nuk ekziston.

“Ata që e lëshuan detin sot kanë dalë ta mbrojnë, Ilir Meta, Lulzim Basha, Sali Berisha. Monika nuk ishte në atë kohë sepse nuk kishte lopata. Ato i kishte Iliri. Ata bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë dhe e bënë në mënyrë zyrtare me firma dhe vula. E firmosi me buzëqeshjen më të gjatë që kam parë vetë Lulzim Basha kur ishte ministër i Jashtëm. Ai zakonisht e ka buzëqeshjen kilometrike në atë kohë ishte me milje. Ka dalë Ilir Meta e ka mbrojtur me të gjithë peshën e tij në qeveri dhe fizike. Ishte dyfish në atë kohë, duke na thënë ne që po provokojmë. Nuk çuam në Gjykatën Kushtetuese thashetheme. Çuam një marrëveshje të vulosur dhe nuk bëmë pazar peshku. Kushtetuesja vendosi 9-0 dhe e konsideroi si marrëveshje që cenonte interesat kombëtare. Tani këta cenues të interesave kombëtare që janë konstatuar si të tillë, sot qenkan mbrojtësit e interesave kombëtare nga unë?”, përfundoi Rama.