Rruga Tiranë-Elbasan, qeveria akuzon PD dhe LSI për kontratat, replikon opozita

Akuzave të opozitës pas vendimit të Arbitrazhit që detyron Shqipërinë t’i paguajë 44 milionë euro kompanisë greke “Aktor” për prishje kontrate në lidhje me aksin Tiranë –Elbasan, i është përgjigjur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Përmes një deklarate, ajo thotë se kontrata nisi me probleme që në kohën e qeverisë së demokratëve, ndërsa shtrin përgjegjësitë edhe te ish-ministrat e LSI kur bashkëqeverisnin me socialistët.

“Këtë kontratë e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike. Stafetën më pas e morën ministrat e Transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për ta bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për shtetin shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas Ballukut, ministrat e LSI kanë rishikuar disa herë projektin, duke u bërë shkak për shkeljet që çuan në arbitrazh. “Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët”

Partia Demokratike kërkoi hetimin e çështjes nga SPAK, duke drejtuar gishtin nga kryeministri Rama dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

“Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor përpunimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën.  Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit.  Ky është një rast që duhet të hetohet me prioritet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike”, deklaroi Alibeaj.

Me ministren Balluku replikoi edhe LSI që publikoi letrën përmes ish-ministrit të  saj, Edmond Haxhinasto, i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama në vitin 2016, ku mes të tjerash e vë në dijeni për problematikat me firmën greke për këtë autostradë.

Arbitrazhi është humbur pikërisht për mosrimbursimin e TVSH-së dhe shpronësimeve. Ankesa e firmës greke “Aktor” ka ardhur në ARRSH, një javë pasi Dashamir Xhika ka dhënë dorëheqjen. Trajtimi i këtyre ankesave duhet të ishte marrë në konsideratë nga Damian Gjiknuri dhe Afrim Qëndro.  Njësoj si demokratët, edhe LSI nuk harroi jashtë vëmendjes Taulant Ballën të cilin e quan si të përfshirë në këtë aferë përmes njerëzve të tij të afërt.