Shqetësim në Europë, rritje e rasteve me Covid-19, por më pak vdekje

Vjeshta ka nisur mes shqetësimeve në Europë, ku rastet me koronavirus vijojnë të rriten ndjeshëm edhe pse niveli i vdekjeve mbetet ende larg periudhës së marsit dhe prillit.

Situata në Francë është më alarmantja, ndërsa 15 mijë e 600 raste të reja u konfirmuan gjatë fundjavës. Të premten vendi raportoi gati 9 mijë infektime në 24 orë, shifra më e lartë kjo e regjistruar deri më tani. Rritja e rasteve është ndjerë edhe nëpër spitale, me disa rajone që raportojnë se terapitë intensive janë drejt ezaurimit. Megjithatë numri i pacientëve në këto reparte, 473 deri të mërkurën, mbeten shumë më i ulët sesa në pikun e pandemisë pak muaj më parë.

Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran paralajmëroi se pacientët që do të kenë nevojë për kujdes intensive gjatë dy javëve të ardhshme, do të rriten.

“Nuk do të jetë rritje masive, por rastet e rënda do të shtohen.  Megjithatë ne nuk mbështesim një tjetër izolim të vendit. Izolimi ishte si një kapak në tenxheren e tejmbushur të gatimit”, tha Veran.

7 departamente të tjera franceze që përfshijnë qytetet e mëdha si Lille apo Strasburg, janë klasifikuar si zona të kuqe, duke çuar në 28 totalin e zonave me rrezik të lartë ku mund të fuqizojnë masat për frenimin e pandemisë.

Rritje të rasteve po përjeton edhe Mbretëria e Bashkuara, ku në 24 orët e fundi u regjistruan gati 3 mijë të tilla. Por megjithatë, numri i të vdekurve nga koronavirusi u ul në dy, vlera më e ulët që prej fillimit të pandemisë.

Autoritetet thonë se shumica e të infektuarve të rinj janë mosha nga 17 deri në 21 vjec, të cilët po përhapin sëmundjen përmes pjesëmarrjes në festa e aktivitete. Ndërkaq, një shkollë na Angli mbylli dyert pasi 5 pjesëtarë të stafit rezultuan pozitivë me Covid-19.