276 fëmijë me koronavirus, Kuli: 8 të shtruar në spital, 13% e të prekurve ende aktivë

276 fëmijë janë prekur nga koronavirusi në Shqipëri që nga fillimi i epidemisë. 13% e tyre janë ende të sëmurë aktivë dhe në 14 shtator nuk do të shkojnë në shkollë.

Në shërbimin infektiv të Pediatrisë janë të shtruar 8 fëmijë të cilët po e kalojnë më rëndë koronavirusin për shkak të komplikacioneve që u ka shkaktuar Covidi. Për fat, deri tani nuk ka pasur humbje jete në moshat pediatrike, por shefja e infektivit tregon për A2 se nuk kanë munguar rastet e rënda.

Kuli thotë se numri i fëmijëve të infektuar mund të jetë më i lartë se shifrat zyrtare. Me rikthimin e nxënësve në shkolla, ajo parashikon rritje të rasteve pozitive ndaj ka disa këshilla për prindërit: “Të jenë të kujdesshëm për fëmijët e tyre, çdo mëngjes t’i masin temperaturën dhe nëse kanë qoftë edhe temperaturë të lehtë, duhet ta izolojnë fëmijën, jo t’i japin paracetamol dhe ta dërgojnë në shkollë”.

Me fillimin e virozave, shenjat e gripit mund të ngatërrohen me Covidin. Infeksionistja Kuli thotë se edhe për shenjat më të lehta, fëmijët duhet të mbahen në shtëpi derisa mjeku i familjes të aprovojë rikthimin në shkollë.

Këtë vit pandemie, shefja e Infektivit rekomandon kryerjen e vaksinës së gripit tek të gjithë fëmijët. Periudha më e mirë për kryerjen e vaksinës së gripit është fundi i muajit tetor, fillimi i nëntorit. Ky injeksion duhet bërë kur fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa për çdo shenjë të ngjashme me Covidin apo gripin, prindërit nuk duhet të përdorin mjekim pa rekomandimin e mjekut.