Dëmet nga tërmeti, 40 familje në protestë, kërkojnë zgjidhje

40 familje të një pallati në Durrësit, kanë zgjedhur të protestojnë mëngjesin e sotëm, në mungesë të një zgjidhje nga  pushteti vendor dhe ai qendror, lidhur me dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i vitit të shkuar.

Pallati i tyre është klasifikuar në nivel dëmtimi DS4, por pretendimi i tyre qëndron në mosgjetjen e një zgjidhje të mëtejshme për këtë pallat.

Problematikë sipas tyre qëndron edhe mosgjetja e banesave me qira, që i ka detyruar të strehohen edhe në periferi, ndërsa nisja e vitit të ri arsimor penalizon fëmijët e tyre për të frekuentuar shkollat ku janë të regjistruar pranë vendbanimeve të mëparshme.

Një pjesë e familjeve janë larguar nga pallati i cili i përket rajonit numër 3, por ka edhe ata familje të cilët janë rikthyer për të jetuar në godinën e dëmtuar, pasi nuk ka përgjigje nga asnjë institucion për godinën nëse do të shembet apo rindërtohet, pavarësisht se tashmë janë lëvruar dhe grantet për rindërtim.