Kaso: Mazhoranca përpiqet të zvarrisë jetësimin e institucioneve të reja

Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, u shpreh për “Ditari” në A2 se “mazhoranca po përpiqet të zvarrisë jetësimin e institucioneve të reja”, duke iu referuar KQZ-së së re.

Ne si opozitë e kemi thënë disa herë që mazhoranca po përpiqet të zvarrisë jetësimin e institucioneve të reja. Dakordësia politike ishte që mesi i muajit korrik do të gjente ligjin e ri zgjedhor të aprovuar dhe gushti do t’i dedikohej formaliteteve të nevojshme për ngritjen e komisionit të ri zgjedhor. Dhe presupozohej që e gjithë kjo periudhë e vdekur do të shërbente që shtatori ta gjente vendin me KQZ të re funksionale dhe me procesin e rëndësishëm të identifikimit biometrik të zgjedhësve të nisur. Opozita do të bëjë të pamundurën që identifikimi biometrik të bëhet në kohë dhe të jetë i zbatueshëm që në zgjedhjet e ardhshme”, tha Kaso.

Në lidhje me hapjen e listave, Kaso theksoi: “PD-ja e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: jemi për hapjen 100% të listave, por kjo të mos devijonte vëmendjen nga qëllimi i vërtetë i mazhorancës që ishte heqja e koalicioneve parazgjedhore. Qëndrimi ynë nuk u mor në konsideratë sepse agjenda e fshehtë e kryeministrit nuk ishte hapja e listave, por heqja e koalicioneve”.

Sa i përket zonave zgjedhore, Kaso tha: “Në Kod Zgjedhor janë të përcaktuara fare mirë zonat zgjedhore. Mazhoranca e ka lënë evazive sepse i janë referuar rajoneve, por nuk ka një nocion të tillë në Kushtetutë. Baza është qarku, nëse mazhoranca ka mendim të ndryshëm, është e lutur ta bëjë publik sepse jemi pranë zgjedhjeve. Nuk ka kohë për eksperimente të cilat bëjnë ato pak standarde zgjedhore të arritura”.