“Kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë”, Basha: Do t’ua bëjmë rrogën 1200 euro

basha kck nuk mund te luftoje kck 1100x620

Kreu i Partisë Demokratike i është rikthyer edhe njëherë çështjes së sistemit shëndetësore në Shqipëri, i cili aktualisht është në një presion maksimal për shkak të pandemisë koronavirus.

Kreu i demokratëve fajësoi keqqeverisjen, që vendi ka sistemin më të keq shëndetësor në vend, i cili u gjet i papërgatitur në këtë situatë të krijuar nga virusi.

Sipas Bashës, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon dhe shumë prej tyre vijojnë të kërkojnë largimin të kushtëzuar dhe nga pagat e ulët. Basha premtoi një rritje deri në 1200 euro të pagave për mjekët, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.

“Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë. Ndërkohë që Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia e Veriut 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.

Pas 2 mandatesh të qeverisjes së Ramës, mjekët shqiptarë paguhen më pak se në çdo vend të rajonit apo Europës. Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është paga më e ulët në rajon. Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoninë e Veriut me mbi 700 euro.

Në planin tonë ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur specializimet për mjekët e rinj në mënyrë që të rrisim kapacitetet. Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor”, shkruan mes të tjerash Basha.