Lejet e ndërtimit, PD: Veliaj u bë garant i pastrimit të parave të pista

SINK KELLICI NDERTIMET frame 0 1100x620

Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se ka shfrytëzuar dhënien e lejeve të ndërtimit për pastrimin e 1.6 miliardë eurove para të pista.

Sipas Belind Këlliçit, ekspertët e huaj përllogarisin se 60% e investimeve në ndërtim në kryeqytet burojnë nga para të pista.

“Erion Veliaj e ka shndërruar Tiranën në lavatriçen më të madhe të parave të pista, ku llogaritet se, gjatë mandatit të dytë dhe të fundit të kësaj qeverie, janë pastruar më shumë se 1.6 miliardë euro.

Raporti i Global Initiative Network vlerëson se 60% e investimeve në ndërtim në Tiranën e drejtuar nga Erion Veliaj dhe indirekt nga Edi Rama, burojnë nga paratë e pista.

Ekspertët e huaj llogarisin se vetëm në Tiranë janë investuar në betonin e lejeve të ndërtimit  1.6 miliardë euro, gati sa 1/3-ta e buxhetit vjetor të Shqipërisë.

Edhe shembja e Teatrit Kombëtar në mes të pandemisë i shërben qëllimit të pastrimit të parave me firmën e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt.

Beteja ndaj pastrimit të parave dhe krimit të organizuar është një nga objektivat kryesorë të Partisë Demokratike në drejtimin e vendit”, tha Këlliçi.