Luhatjet e valutave, konsulentja financiare tregon si të mbrohemi

Pasiguritë e krijuara nga pandemia dhe kriza e shkaktuar prej saj reflektohen edhe tek ecuria e tregut të këmbimit valutor. Luhatjet e mundshme janë sot më të paparashikueshme nga ekspertët dhe mund të shkaktojnë humbje për përdoruesit e valutave.

Konsulentja financiare Brunilda Isaj jep këshilla se si individët mund të mbrohen nga ndryshimi i kursit të këmbimit: “Duhet të kemi kujdes që të përputhim monedhën e të ardhurave me monedhën e shpenzimeve. Monedha e kredimarrjes të përputhet me monedhën e të ardhurave”.

Bizneset, nga ana tjetër, zgjedhin të mbrohen nga luhatjet e kursit duke blerë dhe shitur në të njëjtën valutë; apo duke ia faturuar humbjen konsumatorëve. Kjo sipas ekspertes nuk është mënyra më e mirë.

Paraja bëhet e shtrenjtë veçanërisht në kohë krizash. Prandaj, konsulentja financiare ka një këshillë për të gjithë ata që kanë depozita në valutë: ndajini midis valutave kryesore, por gjithmonë merrni mendimin e një eksperti për t’u mbrojtur nga zhvlerësimi i mundshëm i monedhave.