Mbështetje, arrestime dhe kritika, “Tifozët Kuq e Zi” zbresin në fushë

tifozat kuq e zi  1100x620

Disfata me Lituaninë ishte si një dush i ftohtë për Kombëtaren. Me paraqitjen zhgënjyese në Tiranë, kuqezinjtë u shndërruan nga fituesit që dominuan rivalët direkt të Bjellorusisë, në humbësit përballë ekipit më të dobët të grupit.

Në Arenën Kombëtare, Lituania i dha fund ecurisë negative, duke regjistruar suksesin e parë në katër vjet, në ndeshje zyrtare. Ekipi i fundit që baltikët kishin mposhtur, ishte Malta në tetor të 2016-ës.

Me gjithë, humbjen dhe në pamundësi për të dhënë mbështetjen në stadium, Tifozët Kuq e Zi u grupuan në afërsi të impiantit, një mënyrë për t’i dhënë zemër ekipit. Iniciativa solli reagimin e policisë, që shoqëroi në komisariat një pjesë të tifozëve, për t’i liruar në orët e para të mëngjesit të së martës.

Grupimi i organizuar i tifozëve të Kombëtares, doli gjithashtu me një deklaratë për humbjen me Lituaninë. “Ne do ta përkrahim gjithmonë e gjithnjë, pavarësisht rezultatit dhe dëshirës për të fituar, por edhe nuk do rrimë duarkryq, por kërkojmë përgjegjësi e llogari, ndoshta jo shumë për humbjen sesa për mosangazhimin dhe ndjesinë e peshës së fanellës kuq e zi dhe asaj që ajo përfaqëson për neve”, shkruan Tifozët Kuq e Zi.

Sipas tyre, paraqitja ishte e pafalshme, ndërsa “nuk ka rëndësi rezultati, rëndësi ka transformimi nga një ekip i mirë para 96 orëve në Minsk, në një ekip pa gjak e pa dëshirë për lojë në Tiranë”.