Mbyllja e shkollave, OECD: Ndikime të mëdha në ekonomi

Shkëputja nga shkolla si pasojë e pandemisë së Covid-19 mund të rezultojë me një rënie prej 1,5 për qind të prodhimit ekonomik global për të gjithë pjesën tjetër të shekullit, paralajmëron Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Sipas raportit të publikuar të martën, për Shtetet e Bashkuara kjo do të përkthehet me humbje ekonomike prej 15,3 trilionë dollarësh, që pritet të thellohet nëse shkolla do të mbyllet prapë gjatë vitit të ri akademik.  

Angel Gurria tha: “Humbja e mësimit do të çojë në humbje të aftësive, përfshirë ato produktive. Për të gjithë sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, për rigjallërimin e tyre dhe për të ardhmen e shteteve, shkollat duhet të përmbushin një ekuacion të ndërlikuar: duke i mirëpritur të gjithë e duke garantuar njëkohësisht sigurinë e të gjithëve”. 

Qeveritë rreth botës mbyllën institucionet arsimore në përpjekjen për të frenuar përhapjen e Covid-19, në shumicën e rasteve për një të tretën e vitit shkollor. Mes ndikimeve të një mase të tillë ishte zgjerimi i hendekut në mundësitë e shkollimit mes të varfërve dhe të pasurve. Fëmijët me qasje ndaj internetit, kompjuterave dhe me familje që i mbështesnin, patën më shumë rezultate.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik tha se gjatë periudhës së izolimit ishin shfaqur pabarazitë mes të rinjve, duke shtuar se mësuesit nuk ishin të përgatitur për mënyrat e reja të mësimit, të imponuara nga mbyllja e shkollave. OECD parashikon një rënie prej 7,5 për qind të rritjes ekonomike globale në rastin e një vale të dytë të pandemisë.