Mori rërë nga ishulli italian, turisti gjobitet me 1 mijë euro

hypatia h 9cdff27df4c5510cd09c0a48b19224ec h 7b7015c7f1932d9ee382b7f18cffd1c0 1100x620

Një turist francez është detyruar të paguajë një gjobë prej 1000 eurosh, pasi u përpoq të fluturonte nga Sardenja me pothuajse dy kg rërë plazhi në bagazhet e tij. Rëra e bardhë e ishullit italian është e mbrojtur nga ligji dhe turistët përballen me gjoba, madje edhe me burg për marrjen e saj nga plazhet lokale.

Një zëdhënës i Rojeve Pyjore të ishullit tha për CNN: “Shishja u konfiskua dhe tani është në sallën, ku ne mbajmë këto sende të konfiskuara. Në fund të vitit zakonisht kemi shumë shishe rëre të grumbulluara”.

Në vitin 2017, u prezantua një ligj rajonal që e bënte të paligjshme marrjen e rërës nga plazhet e Sardenjës. Gjobat janë nga 500 deri në 3000 euro, varësisht nga sasia e marrë dhe nga vendi ku rëra është marrë, u shpreh zëdhënësi. Ai sqaroi më tej se rregullat e vendosura erdhën pasi incidentet po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta dhe problematike.

Plazhet me rërën me ngjyrë “të pabesueshme”, rozë ose shumë të bardhë janë veçanërisht të shënjestruara, shtoi zëdhënësi. “Vitin e kaluar ne zbuluam një faqe në internet që shiste rërën tonë si suvenir. Është bërë një fenomen shumë i njohur këtu në Evropë,” u shpreh ai.

Kontrollet janë bërë “shumë më rigoroze” gjatë tri viteve të fundit, tha zëdhënësi, duke shtuar se “sanksionet janë shumë më serioze, ne punojmë me policinë dhe ata na paralajmërojnë”. Edhe qytetarët kontaktojnë autoritetet nëse shohin turistë që marrin rërë nga plazhet.

Vitin e kaluar, policia kapi një çift francez që kishte marrë pothuajse 40 kg rërë. Po ashtu një banor britanik u gjobit me më shumë se 1,000 dollarë në vitin 2018, kur autoritetet zbuluan se ai kishte marrë rërë nga një plazh afër qytetit verior të Olbia.