Ndryshimet në qeveri, Beqaj: 7 muaj para zgjedhjeve sjellin boshllëqe

Pjatë e re, gjellë e vjetër. Pak surpriza duket se do të priten nga Kryesia e re e socialistëve, duke mbajtur në shumicën e saj figurat ekzistuese. Pandemia e ka futur në ngërç Selinë Rozë për mbajtjen e Asamblesë Kombëtare zgjedhore, që, sipas sekretarit organizativ Arben Pëlllumbi, po kujdeset të garantojë një votim me integritet, por duke respektuar masat e distancimit social.

Socialistët, targetin për muajt e ardhshëm në qeverisje, e kanë të qartë: mandati i tretë me Edi Ramën kryeministër.

Ndërkohë, në Shkodër, Ilir Beqaj, drejtuesi politik i emëruar i këtij qarku, nuk po humbet kohë. Këtë të martë ai mblodhi strukturat lokale të partisë, i vetëdijshëm se kryeqendra e veriut, njësoj si edhe në disa qarqe të tjera, ka nevojë për shumë punë për t’i siguruar socialistëve administrimin qendror edhe për 4 vite.

A do të ishte një zgjidhje rifreskimi i qeverisë? Beqaj u shpreh: “Ndryshime 7 muaj e gjysmë para zgjedhjeve nuk janë të lehta të bëhen sepse vetvetiu krijojnë edhe boshllëk brenda dikastereve”.

Socialisti u pyet edhe lidhur me figurën e paraardhësit të tij në Shkodër, por nuk ia faturoi Ditmir Bushatit situatën e krijuar në 14 muajt e fundit në këtë qark.