Në emër të Drinit, lumi në 80 fotografi artistike dhe 20 piktura

Thonë se arti është mënyra më e bukur për t’i dhënë mesazhe botës, mesazhe ndërgjegjësimi, dashurie dhe përkujdesjeje.

Artin si revoltë, por edhe si një tregues i potencialeve të natyrës, e gjetëm në një nga qendrat rinore të Shkodrës. Nga një kënd i qytetit i bëhej jehonë rrjedhës së Drinit që e pasuron liqenin e Shkodrës me banorë.

Në qendrën rinore “Arka” gjetëm 80 fotografi artistike dhe 20 piktura.

Ky nuk është viti i parë që Drini është në qendër të vëmendjes artistikisht, pasi Institute i Librit dhe Promocionit është kujdesur për vite të tëra të gjejë një mënyrë artistike për të tërhequr vëmendjen e banorëve.

Liqeni i Shkodrës sot ka një pasuri të madhe sa i përket florës dhe faunës, ndonëse gjatë viteve të para të demokracisë, ky ekosistem vuajti jo pak. Pikërisht, këtë jetë të liqenit rrëfen ekspozita e hapur në Shkodër këtë fillim shtatori.