Nis testimi i mësimdhënësve, më 14 shtator nxënësit kthehen në shkolla në Kosovë

Gjithçka është gati për vitin e ri shkollor në Kosovë më 14 shtator. Pohimi vjen nga ministri i Arsimit, Ramë Lika, i cili inspektoi mjediset e disa shkollave në komunën e Shtimes. Ai njoftoi se ka filluar dhe testimi për Covid-19 i disa mësuesve në nivel vendi, për të parë gjendjen e infeksionit.

“Do të testohen 1 mijë e 500 arsimtarë në nivel vendi që i bie diku mbi 6.5 për qind të numrit të përgjithshëm për të ditur gjendjen e infeksionit për të hyrë në këtë viti të ri shkollor. Ka filluar testimi”, tha Lika.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi mësimor të nisë në objektet shkollore.

“Në kuadër të vizitave që i kemi bërë nëpër shkolla po shihet që shtuar mobilizimi, janë siguruar mjetet për dezinfektim dhe është bërë dezinfektimi i shkollave në përgjithësi. Janë marr masat e distancës sociale mes nxënësve në banka dhe do të bëhen edhe shenjat. Besoj që edhe në këto ditë që kanë mbetur deri më 14 shtator tërë institucionet arsimore do të jenë të përgatitura dhe ta vazhdojmë mbarë vitin shkollor”, deklaroi Rrahman Jasharaj.

Ndërkohë, disa javë më parë Ministria e Arsimit publikoi dhe udhëzimet me 3 skenarë për zhvillimin e procesit mësimor në bazë të situatës epidemiologjike. Nëse rrezikshmëria nga Covid-19 konsiderohet e ulët, mësimdhënia do të kryhet në shkolla duke respektuar masat në fuqi, nëse është e mesme, nxënësit do të jenë në klasa, por me numër tepër të reduktuar, por nëse rrezikshmëria vlerësohet të jetë e lartë, mësimdhënia do të zhvillohet online.