Pëllumbi: PS nuk do të kërkojë një mandat të tretë pa dhënë llogari për mandatin e dytë

Një mandat të tretë me Ramën kryeministër, kjo është bindja e pothuaj çdo socialisti, pjesë aktive e strukturave drejtuese që është dëgjuar të artikulohet në këtë rikthim tonesh politike të shtatorit, që më shumë se rikthim ngjason me një nisje fushate në terren.

Ky është besim që vjen si produkt i treguesve apo e nisjes së fushatës, është objektiv elektoral apo një bindje për t’iu imponuar elektoratit?

Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, ishte i ftuar në A2, nga ku foli për situatën aktuale në partinë që ai bën pjesë dhe pritshmëritë në zgjedhje. Ai u shpreh se shqiptarët do t’i japin PS-së mandatin e tretë për përmbylljen e një pjese reformash që janë në rrugë e sipër.

“Me ndryshimet që kemi bërë, mundësitë e presidentit ishin të paracaktuara. Për ne, pavarësisht faktit që dëshironim datën 9 maj, sërish 25 prilli është në rregull, nuk ka asnjë problem.

Në Shqipëri nuk kemi një forcë politike të ketë fituar një mandat të tretë, por PS është e bindur dhe me këtë bindje do të shkojë para elektoratit, pasi në këto 8 vite qeverisje ka nisur një sërë reformash, një pjesë e të cilave janë konkretizuar dhe të tjera që janë në mes të rrugës. Ne besojmë se duhet t’i çojmë deri në fund ato. Besojmë se elektorati do të ketë pjekurinë e duhur më 25 prill për të votuar atë që ai mendon se e çon Shqipërinë përpara”.

Më tej, Pëllumbi theksoi se ekziston bindja që PS është forca e vetme që mund ta çojë vendin në drejtimin e duhur. “Pavarësisht gabimeve që mund të jenë bërë gjatë rrugës, ne jemi të bindur se jemi forca e vetme që mund ta çojmë vendin në drejtimin e duhur. Ne kemi kundërshtarë njerëz që janë provuar dhe dihet se çfarë kanë bërë. Beteja do ishte mirë të ishte e fortë, por kundërshtarët nuk i zgjedhim ne. Kemi kaluar dy ngjarje të mëdha, por që nuk janë varur prej nesh. E rëndësishme është se si ka reaguar qeveria për përballimin e tyre”.

Por, a ka vend për reflektim në PS për këto vite qeverisje? “Ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën, por jemi të bindur se nuk kemi bërë atë që duhet të bënim plotësisht. Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar dhe kjo është një thirrje për të gjithë ne që do të kërkojmë mandatin e tretë, të jemi të bindur që duhet të japim gjithçka mundemi nga vetja jo për të bërë atë që njerëzit presin prej nesh”.

Pëllumbi thekson se PS nuk do të kërkojë një mandat të tretë pa dhënë llogari për mandatin e dytë. “Njerëzit dinë të vlerësojnë punën. Ne nuk jemi perfekt, por deri më sot besojmë se jemi më të mirët.