6000 euro për të ndryshuar vendimin, arrestohen bashkëshorti i gjyqtares dhe dy të tjerë

spak gjyqtarja 1100x620

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka arrestuar një gjyqtare dhe bashkëshortin e saj, si dhe 3 persona të tjerë, si të përfshirë në një rast korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Sipas SPAK, tre shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

“Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas”, thotë SPAK.

Mbështetur në provat e administruara dhe pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 92 datë 05.09.2020 ka caktuar :

Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Arben Cara, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetases Mimoza Margjeka, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.