Deklarata e Topallit për largimin e Bashës nga PD, Paloka: Vetëm Balla e Spiropali e duan këtë gjë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar në Ditarin mëngjesit në A2 edhe për intervistën e ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila deklaroi se do të kthehet në PD vetëm pasi të largohet kreu aktual, Lulzim Basha.

Paloka lëshoi akuza të ashpra, duke thënë se personat që kanë përfituar më shumë nga Partia Demokratike sapo janë larguar i kanë kthyer shpinën.

“Mund të përgjigjem dhe shkurt sepse nuk kam qejf të merrem me këtë histori. Unë jam themelues i PD dhe këmbëngul që në parti të vlerësohen kontributet dhe meritat e gjithsecilit. Për fat të keq, në këto 30 vite, partia jonë ka parë se sapo janë larguar, ata që kanë përfituar më shumë, i kanë kthyer shpinën. Jo të gjithë.

Në rastin konkret 80% e shqiptarëve dhe socialistëve deklarojnë se e keqja e këtij vendi është Edi Rama dhe ai duhet të largohet. Vetëm 3 veta thonë që duhet të largohet Lulzim Basha; Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe këta të tjerët. Nuk e di si mund ta thuash këtë gjë në prag të ndryshimit, aq më tepër në një situatë të tillë”, u shpreh Paloka.