Harry dhe Meghan finalizojnë “divorcin” me Mbretërinë e Bashkuar, shlyejnë borxhin prej 3 milionë dollarësh

Duka dhe Dukesha e Sussex, Harry dhe Meghan Markle, kanë shlyer 3 milionë dollarë të parave publike që u përdorën për të rinovuar shtëpinë e tyre, në Windsor, në Mbretërinë e Bashkuar.

Shlyerja e borxhit mund të konsiderohet si ndarja përfundimtare e çiftit me Britaninë, megjithëse shtëpia në Windsor do të mbetet vendbanimi i tyre zyrtar në vend.

Çifti, i cili tashmë ka blerë një shtëpi në Santa Barbara, në Kaliforni, u zhvendos në ndërtesën e fillimit të shekullit të 19-të pak para ardhjes në jetë të djalit të tyre, Archie, në maj 2019.

Rinovimet dhe puna në rezidencën zyrtare të Sussex, Frogmore Cottage, kushtuan 2.4 milionë paunde, dhe u morën përsipër nga Granti Sovran, i cili paguan stafin e Mbretëreshës, mirëmbajtjen e pallateve dhe detyrat zyrtare mbretërore, përfshirë udhëtimet. Harry dhe Meghan paguan vetë për të gjitha pajisjet dhe orenditë.

Në muajin janar, Harry dhe Meghan njoftuan se do të tërhiqeshin nga rolet e tyre si anëtarë të familjes mbretërore britanike dhe se do të ndanin kohën e tyre midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut.

Shtëpia u bë objekt polemikash pasi çifti u distancua nga jeta publike dhe deklaruan qëllimin e tyre për t’u bërë “të pavarur financiarisht”.