“Jerusalem Post”: Serbia nuk e zhvendos ambasadën nëse Izraeli njeh Kosovën

Përkundër angazhimit të marrë përsipër në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e vet në Jeruzalem nëse Izraeli njeh Kosovën si shtet i pavarur.

Këtë e tha një burim i afërt me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, për “Jerusalem Post” ditën e mërkurë. 

“Përveç kësaj, një lëvizje e tillë nga Izraeli do të dëmtonte marrëdhëniet e afërta mes Izraelit dhe Serbisë, të cilat nuk do të ishin më njësoj”, deklaron burimi i cituar nga “Jerusalem Post”.

Sipas burimit, të shumtë janë ata që mendojnë se njohja e Kosovës nga Izraeli do të ishte e njëjtë me njohjen e njëanshme të Palestinës nga shtetet e tjera.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, me bekimin e presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Përveç kësaj, në marrëveshjen me Kosovën thuhej se Prishtina dhe Izraeli do të normalizonin marrëdhëniet dhe se shteti me shumicë myslimane do të hapte ambasadën e tij në Jeruzalem.

Në dokumentin e firmosur nga Serbia, theksohej gjithashtu zhvendosja e ambasadës në Jeruzalem.

Çështja nxiti reagimin e Bashkimit Europian që theksoi se çdo marrëdhënie diplomatike që bie ndesh me qëndrimin e Brukselit, përbën shqetësim serioz.