Mësimi në pandemi, Gjika: Prindërit dhe mësuesit të menaxhojnë stresin

Mësimi në epidemi ka shtuar ankthin te prindërit, përgjegjësinë te mësuesit, por dhe të panjohurat për këtë vit të pazakontë.

Pak ditë nga fillimi i shkollës, psikologët mbështesin rikthimin e nxënësve në klasa.

Për Lira Gjikën, fëmijët nuk kanë kohë për të humbur.  

“Nuk luhet me fëmijërinë dhe shkollën. T’i marrim gjërat më me gjakftohtësi dhe të mendojmë më shumë për të ardhmen. Nëse do të mësojmë me frikën se unë i rrituri do të infektohem, nuk ka gjë se fëmija ka kohë. Bie të jetë ajo logjika e vjetër “fëmijët kanë kohë, ne nuk kemi kohë”. Ndërsa unë them që ne, të gjithë të rritur, kemi kohë ndërsa fëmija nuk ka kohë”, shprehet Gjika.

Psikologia Gjika, këshillon prindërit të menaxhojnë stresin. Rikthimi i fëmijëve në shkolla edhe në këto kushte është më i shëndetshëm se sa qëndrimi para telefonave në shtëpi.

“Prindërit ta qetësojnë veten sepse ne jemi modeli i tyre dhe ata janë në mosha të brishta. Po ishim ne konfuzë, fëmijët do të jenë më konfuzë. Ne i kompromentojmë shëndetin mendor fëmijëve”, shtoi psikologia.

Mësimi me turne dhe reduktimi i orëve në 30 minuta janë masa që do të japin rezultate pozitive sipas pediatres.

Ndërsa për mësueset, Lira Gjika ka një lutje, nota dhe regjistri të mos jetë synimi i tyre këtë vit.

“Mësuesit të nxjerrin në pah atë që dinë të bëjnë më mirë sepse janë me të vërtetë të gjithë profesionistë. Mësuesit siç iu japin kohë nxënësve, t’i japin dhe pak kohë vetes”, përfundoi Gjika.

Më 14 shtator mijëra nxënës do të rikthen në shkolla me një sjellje të re. Mësimi do të jetë me turne, i reduktuar në kohë, ndërsa nxënësit dhe mësuesit do të qëndrojnë larg njëri-tjetrit dhe me maska.