Milo për kufinjtë: Nuk ka marrëveshje të fshehtë, por shqiptarët duhen sqaruar

Situata e kufijve detarë në Mesdhe duket tepër fluide, me Greqinë që ka arritur marrëveshje me Italinë dhe Egjiptin, ndërkohë që po përballet fort me Turqinë, ku si pasojë është rritur tej mase tensionin mes dy vendeve. Ndërkohë me Shqipërinë, marrëveshja duket sikur ka mbetur në një “status quo” pas 2 vitesh, edhe pse ka zëra për një marrëveshje të fshehtë midis qeverive.

Por Paskal Milo nuk i beson kësaj hipoteze. “Nga ndjekja e komenteve që po bëhen këtu dhe në Greqi në lidhje me çështjen, vihet re sa rëndësi ka transparenca në diskutimin e çështjeve të tilla delikate. Deklarata e kryeministrit grek, e bërë në një kontekst tjetër, ngjalli komentet nga më të ndryshmet, por besoj se ia kemi rritur vlerën kësaj deklarate. Ishte një deklaratë që synon një marrëveshje për kufirin detar me Shqipërinë. Por sipas meje, nuk ka përpjekje për një marrëveshje të fshehtë”.

Por ish-ministri i Jashtëm mendon se duhet më transparencë në proces. “Atë që doja nga qeveria është që të dalin e të flasin më tepër në aspektin teknik, t’i thuhet shqiptarëve se ku kanë mbetur negociatat,  normalisht aq sa mund të thuhet. Ka dalë kryeministri, por tani duhet të dalin ekspertët që të qartësojnë publikun”.

Sipas tij, është e domosdoshme që të krijohet një tjetër grup negociator, “me profesionistë gjithëpërfshirës. Të jenë persona me dinjitet profesional që të mbrojnë çështjen deri në fund”.

Në lidhje me marrëveshjen konkrete me Greqinë, një nga çështjet më të nxehta është përcaktimi i vijës bazë që shërben në përllogaritjen e ujërave territoriale.

“Çdo vend bregdetar, nga Poli i Veriut tek ai i Jugut, ka të drejtë të ketë ujëra territoriale deri në 12 milje, por kjo ndodh aty ku nuk ndeshet me ujërat territoriale të një vendi tjetër. Në të drejtën ndërkombëtare të detit, koncepti kryesor është që në përllogaritjen e vijës bazë të ujërave territoriale duhet të prevalojë dheu territorial, pra kontinenti dhe jo një ishull. Në marrëveshjen e vitit 2009, koncepti i vijës bazë nuk ekzistonte”.