“Oligarkët nuk duan t’ia dinë për situatën ku ndodhemi”, Klopp sulmon City dhe Chelsea për shpenzimet në merkato

klopp 600x338

Jurgen Klopp njihet si një nga personazhet e botës së futbollit që e thotë pa problem atë që mendon, sidomos kur pyetet për shpenzimet në merkato të rivalëve të Liverpool në Premier League.

Trajneri i “The Reds”, në një intervistë për “BBC 5 Sport”, lëshoi një mesazh për Manchester City dhe Chelsea: “Sot jetojmë në një botë që ka shumë pikëpyetje. Për disa klube që janë pronë e shteteve apo të oligarkëve, duket se nuk ka rëndësi fare fakti që e ardhmja është e paqartë”.

Manchester City dhe Chelsea deri tani kanë shpenzuar respektivisht 80 milionë euro dhe 223 milionë euro me blerje gjatë merkatos së kësaj vere. Ndërsa Liverpool ka shpenzuar vetëm 13 milionë euro për mbrojtësin e majtë grek Konstantinos Tsimikas, i blerë nga Olympiakos.

“Ne jemi një klub ndryshe. Arritëm finalen e Champions League para dy vitesh, e fituam para një viti dhe sezonin pasardhës fituam Premier League pikërisht duke qenë ky klub që jemi. Nuk mund të ndryshojmë brenda ditës dhe të themi “duam të sillemi si Chelsea”. Nuk mund të blesh 11 lojtarët më të mirë në botë dhe të presësh që javën tjetër të luajnë futbollin më të bukur në botë. Duhet punë në stërvitje. Edhe ne duam të përmirësohemi, të kemi grupin më të mirë të lojtarëve, por ka mënyra të ndryshme për ta arritur këtë”, u shpreh Klopp.