Përgatitja e strukturave, Rama: Në 25 prill të ruajmë 74 mandate

A2 ka zbardhur detaje nga mbledhja që kryeministri, Edi Rama, zhvilloi me drejtuesit e qarqeve në selinë e Partisë Socialiste, në lidhje me përgatitjet për fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare.

Sipas burimeve Rama ka kërkuar nga drejtuesit e rinj maksimalizim të votave për të synuar mandatin e tretë qeverisës. Një nga kërkesat e kreut të mazhorancës ka qenë që Partia Socialiste të mos zbresë nga numri i 74 mandateve.

Gjithashtu mësohet se mbledhjet me drejtuesit e qarqeve do të zhvillohen çdo të hënë, ku ata do të sjellin shqetësimet dhe zhgënjimet e elektoratit gjatë këtij mandati.

Në fund të mbledhjes kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se në këto mbledhje do të bëhet një vlerësim për cilësinë e shërbimeve që ofrohen ndaj qytetarëve, gjithashtu dhe një vlerësim për performancën e çdo deputeti, ministri apo zyrtari tjetër të PS.

“Diskutuam për çështje organizative dhe për një raportim dhe vlerësim për cilësinë e shërbimeve, që ofrohen ndaj qytetarëve në çdo cep të territorit. Dorëzuam një vlerësim për shërbimet publike me qëllim përmirësimin e tyre. Diskutuam dhe për krijimin e një kanali virtual me anëtarësinë për të vlerësuar performancën e çdo deputeti, ministri apo përfaqësuesi tjetër të PS.

Ne mirëpresim çdo lloj kontributi nga qytetarët në funksion të identifikimit të personaliteteve që do të kenë nderin të garojnë si përfaqësues të popullit. Shpresojmë që në 25 prill të mos kemi më thirrje nga opozita që qytetarët të mos marrin pjesë në zgjedhje sepse zgjedhjet janë për popullin. Partitë kanë detyrë të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Taulant Balla.