Pronarët e bar-kafeve në Korçë apel për Bashkinë: Zero lehtësime fiskale

Përfaqësues të bizneseve të bar-kafeve në qytetin e Korçës, kanë zgjedhur mediat për t’i drejtuar një apel Bashkisë së qytetit, në kushtet kur deri më tani, kërkesat e tyre për lehtësira fiskale për shkak të pandemisë nuk janë marrë parasysh nga bashkia.

Ata kërkojnë falje dhe ulje të taksave, për periudhat që kanë pasur aktivitetin e bllokuar dhe për periudhën që po punojnë nën rregullat dhe protokollet e Covid-19.

Si pasojë e uljes së ndjeshme të fluksit të turistëve dhe mungesës së ndihmës nga bashkia, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve bar-kafe janë drejt falimentimit ndërsa kanë shkurtuar ndjeshëm fuqinë punëtore.

Ardhja e vjeshtës dhe më pas dimri nuk parashikojnë asgjë të mirë sa i takon këtyre bizneseve, të cilët e kanë të ndaluar të punojnë në ambiente të brendshme.