Qeveria e re e Malit të Zi: Bashkëpunimi me NATO dhe pavarësia e Kosovës, nuk diskutohen

qeveria mali zi 1100x620

Opozita pro serbe, që fitoi zgjedhjet në Malin e Zi, konfirmojnë se qeveria e ardhshme do të vazhdojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, nuk do të vërë në diskutim njohjen e Kosovës dhe nuk do të ndryshojë simbolet shtetërore të Malit të Zi.

Liderët e tri subjekteve politike, “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë”, Zdravko Krivokapic, Aleksa Beçic dhe Dritan Abazovic prezantuan të mërkurën parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e udhëhequr prej tyre. 

Zdravko Krivokapic tha: “E gjithë kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, pavarësisht besimit, kombësisë apo politikës. Ne duam të respektojmë të gjitha të drejtat, veçanërisht më kryesoren: lirinë”. 

Ndër të tjera thuhet se do të zbatohen me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n e për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian; do të depolitizohen plotësisht institucionet kyçe qeveritare, me qëllim luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; do të respektohet Kushtetuta e Malit të Zi dhe nuk do të lejohen nisma që kanë për qëllim ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit e nuk do të nisë procedura për tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës.  

Lideri i subjektit “E zeza mbi të bardhë”, shqiptari, Dritan Abazovic, është i sigurt se qeveria do të ketë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar: “Jemi të vendosur të merremi me çështje që rëndojnë te qytetarët e Malit të Zi”. 

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Zgjedhor Shtetëror, tri koalicionet opozitare kanë fituar 41 mandate.