Rama kërkon mandatin e tretë, Vasili: Halucinacionet janë të pandalshme

Edhe në takimin e paradites së sotme me drejtuesit e qarqeve, është mësuar se Edi Rama përsëriti se PS kërkon të sigurojë mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme dhe të ruajë 74 deputetë.

Por për nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, ky është një halucinacion. “Jemi në gatishmëri të plotë politike, strukturore dhe organizative. Raporti ynë ka qenë i pandërprerë me qytetarët, pasi kështu ke një raport të drejtë dhe transparent, pa pasur nevojë për modele se si do të mashtrohen qytetarët, ashtu siç bën “Rilindja”.  

Çdo halucinacion është i pandalshëm. Halucinacionet janë një gjendje psikike e çartur, gjë që i karakterizon të gjithë këta. Të gjithë këta demonstrojnë halucinacionet e të parit të tyre, por përballë të gjithë shqiptarëve ka vetëm një pyetje të drejtpërdrejtë. Cili është grupi më i madh shoqëror në Shqipëri, më i qetë, më stabël, më i begatë? Është shtresa e mesme, biznesi i vogël? Të cilët vetëm janë varfëruar. Po, është fare e qartë se një grup shumë i vogël, përfitues të qeverisë, janë ndjerë shumë të lumtur. 99% të shqiptarëve mezi presin të shpëtojnë nga kjo koracë maskarenjsh që jo vetëm i plaçkit, por edhe i mashtron”, u shpreh Vasili.

Sipas Vasilit, situata në vend është shumë e rëndë dhe kjo ka ardhur nga keqqeverisja. “Ka një pafundësi problemesh, për të shtuar këtu korrupsionin dhe pastrimin e parave, i cili ka një ritëm galopant të tillë sa që ka dekurajuar të gjitha investimet e huaja dhe shqiptare”.