Rihapja e kazinove, reagon Partia Demokratike: Rikthim në “skenën e krimit”

DORIAN TELITI frame 851 1100x620

Shefi i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për lejimin e kazinove në disa zona të kryeqytetit.

“Plot dy vjet më parë, nga foltorja e Parlamentit të deligjitimuar, KM deklaronte: …kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje, ASNJË LËSHIM NË ASNJË HAPËSIRË TJETËR.
Dhe si çdo premtim i Edi Ramës, edhe ky u tret në pluhurin e harresës dhe të interesave të oligarkëve të tij. Sot, dy vjet më vonë, ndonëse në një kohë që BE ka futur Shqipërine në listën gri për pastrimin e parave dhe ka nënvizuar lojrat e fatit si një nga mënyrat se si pastrohen paratë, Rama në nxitim e sipër, në muajt e fundit të qeverisjes së tij agonike, rikthen në lojë kazinotë në zemër të Shqipërisë, në qendrën historike të Tiranës”, shkruan Teliti në Facebook.

“Nuk mendojnë as edhe një sekondë si të ndihmojnë mijëra bizneset që po falimentojnë, apo si të mbështesin sado pak qindra-mijëra njerëz që kanë humbur vendin e punës dhe sot vuajnë për bukën e gojës, por çdo gjë në funksion të groposjes së Shqipërisë edhe më shumë në vorbullën e parave të pista, me të njëjtët dhe për të njëjtët që dje u hoqi TVSH-në për jahtet, dhe u uli e qeranë e pronave shtetërore. Deri në ditët e fundit qeveria më e dështuar dhe e korruptuar në rajon e më gjerë, punon për të njëjtët grusht klientësh, por asnjëherë për shqiptarët. Koha t’i japim fund kësaj zhvatjeje të xhepave të njerëzve dhe pasurive publike”, shtoi Teliti.