Alarm i Covid-19 në Serie A, De Laurentiis pozitiv, presidentët e drejtuesit bëjnë tamponin

de laurentiis 600x338

Pa maskë dhe pa asnjë masë mbrojtëse në periudhën e pandemisë. Kështu u paraqit Aurelio De Laurentiis, në Asamblenë e Ligës së Serie A, të zhvilluar në Milano.

Presidenti i Napolit është kthyer në rrezik për të gjithë drejtuesit e futbollit italian, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19.

Njoftimi u dha nga klubi, që saktësoi se pas testit të tamponit të zhvilluar gjatë mesjavës, De Laurentiis rezultoi i infektuar nga koronavirusi, duke përhapur panik edhe te klubet e tjera.

Sipas mediave italiane, presidenti “nuk është asimptomatik” dhe përveç tij, “pozitiv ka rezultuar edhe një tjetër pjesëtar i familjes De Laurentiis, por edhe një drejtues i klubit të Napolit”.

Edhe pse kishte shfaqur simptoma të virusit, te Laurentiis u paraqit në mbledhjen e zhvilluar në Milano, duke mos u kujdesur aspak për të respektuar masat kundër përhapjes së Covid-19.

Pas këtyre informacioneve, tashmë të gjithë të pranishmit në Asamblenë e Ligës së Serie A, mes të cilëve presidentë dhe drejtues të 19 ekipeve të tjera elitare, duhet t’i nënshtrohen testit të detyrueshëm të tamponit dhe për shkak të episodit të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.