Djegia e kampit të Morias, mijëra emigrantë në rrugë, gjermanët: Sillini këtu

Orë tmerri po përjetojnë emigrantët që strehoheshin në kampin famëkeq të Morias në Lesbos të Greqisë, i shkatërruar në një zjarr masiv mbrëmjen e së martës.

Një zjarr i dytë shpërtheu një natë më vonë, duke shkrumbuar edhe ato pas objekte që kishin mbetur. Familje të dëshpëruara me fëmijë të mitur fjetën në qiell të hapur, në trotuare apo parkingje supermarketesh, disa prej të cilëve pa tenda apo shtrojet bazike. Të tjerë, udhëtuan drejt fshatrave të afërta për të kërkuar ujë dhe ushqim.

“Kemi dalë të gjithë jashtë kampit, pasi ai u dogj të martën. Ishte një zjarr shumë i madh dhe u dogj pothuajse gjithçka. Nuk dimë ku të shkojmë, po përpiqemi të gjejmë një vend ku do të na lejohet të rrimë”, tha një emigrant nga Afganistani.

Në orët e para të së enjtes autoritetet greke transferuan me tre çartera, më shumë se 400 fëmijë të pashoqëruar dhe adoleshentë drejt Greqisë kontinentale. Por shumë të tjerë mbeten të bllokuar në Lesbos.

Rreth 12 mijë e 500 vetë jetonin në kampin më të madh të refugjatëve në Greqi, i njohur për kushtet e mjerueshme të jetesës.  

Ministria e Migracionit bëri të ditur se do të ndërmerrte të gjitha hapat për t’iu mundësuar grupeve më të cenueshme dhe familjeve një strehë, por përpjekjet përballen me kundërshtitë e ashpra të banorëve të zonës.

Autoritetet ishin edhe më herët në konflikt me banorët e Lesbosit lidhur me planet për ta zëvendësuar Morian me një qendër të mirëfilltë strehimi, por kjo sipas qytetarëve atje nënkupton qëndrim të përhershëm të azilkërkueseve në zonë.

Gjermania ishte mes të parave që u ofrua të ndihmojë me qeverinë Merkel që tha se ishte në kontakt të afërt me Athinën zyrtare.

Qindra gjermanë protestuan në mbështetje të emigrantëve në Berlin e Frankfurt. “Sillini këtu, ne kemi vend”, ishin disa prej thirrjeve të manifestuesve.