Gara për maskë mbrojtëse, LG ka gati maskën elektronike, në shitje nga muaji tetor

KR MASKA ELEKTRONIKE frame 0 1100x620

LG Electronics pritet të pushtojë tregun javët e ardhshme pasi ka krijuar dhe ka gati për shitje, atë që do të njihet si maska elektronike, e dizenjuar për të reduktuar problemet në frymëmarrje, shoqëruar me një dizajn modern.

Maska do të ndihmojë kryesisht personat që mbajnë syze optike e që për shkak të maskës, kanë probleme edhe me shikimin pasi xhami vishet me avull nga vështirësitë në frymëmarrje.

Maska elektronike do të jetë e pajisur me një filtër të veçantë për ajrin, që pastron automatikisht ajrin që thithet përmes saj dhe lehtëson frymëmarrjen. 

Teksa autoritetet në mbarë botën i kërkojnë publikut të mbajë maskë mbrojtëse në çdo ambient për të frenuar përhapjen e koronavirusit, prodhuesit janë tashmë në garë për të nxjerrë në treg maskën më të lehtë për përdoruesit e mbi të gjitha më të sigurt.

Maska elektronike funksionon me bateri të karikueshme çdo 24 orë dhe dezinfektohet automatikisht me rreze ultraviolet.

Mjaftojnë 2 orë karikim për t’u përdorur 8 orë pa ndalim gjatë ditës. Maska do të dalë në shitje në muajin tetor, por LG ende nuk ka një çmim fillestar.