Mbyllja e lojërave të fatit, buxheti i shtetit humbet 5.4 mld lekë në vit

Shqipëria kishte mbi 4,300 pika bastesh sportive dhe kazino elektronike dhe 7280 të punësuar në to, përpara se qeveria të vendoste për mbylljen e aktivitetit të tyre nga 1 janari 2019.

Industria arkëtonte zyrtarisht rreth 130 milionë euro në vit nga paratë e shqiptarëve, apo mbi 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, teksa informaliteti vlerësohej shumë i lartë, për një total prej afro 400 milionë eurosh. Me një marzh fitimi prej 20-70%, ato ishin bizneset më fitimprurëse në vend.

Një pjesë e madhe e këtyre parave përfundonin në buxhetin e shtetit në formën e taksave dhe pagesës së licencave.

Mbyllja e lojërave të fatit u argumentua nga Ministria e Financave se do të përmirësonte situatën ekonomike të familjeve shqiptare, teksa paratë e kursyera do të shndërroheshin në konsum dhe do të vinin sërish në arkat e shtetit në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Por diçka e tillë nuk ndodhi dhe u duk qartë në llogaritë e Financave, ku për vitin 2019 u ndje mungesa e 5.4 miliardë lekëve që vinin nga kjo industri, ndërsa konsumi i brendshëm madje u ul.

Faktet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit vijoi punën duke u zhvendosur në të zezë, ndërsa qeveria nuk e ka sot një raport që vlerëson ndikimin ekonomik dhe social që pati vendimi për mbylljen e kësaj industrie.