Ngjela: Lidershipi ynë është i shitur, politika amerikane në favorin tonë

Ngjelaaaaaa 1100x620

Për avokatin, Spartak Ngjela, marrëveshja ekonomike e nënshkruar në Uashington mes Prishtinës dhe Beogradit ishte një politikë e nivelit të lartë. Ai shprehet se po luhet diçka e re në politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk ishte në gjendje ta kapë as politika në Tiranë dhe as ajo në Kosovë. Specifika ishte dalja e Izraelit në skenë. Pyetja ime retorike është kjo: Pse duhet të dilte si palë në marrëveshje Izraeli dhe njohja e Kosovës nga Izraeli? Kjo ishte një marrëzi? Jo, ishte një politikë e thellë. Çështja është që ne na doli Izraeli në skenë. Izraeli na çon në një lidhje tjetër. Cila është kjo lidhje? Është politika e Trump që ka qenë shumë e ngushtë me politikën izraelite. Këtë duhet ta marrim si element të arsyetimit tonë. Në problemin e Ballkanit Perëndimor, që është bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor, e cila përfaqësohet nga 3 shtete. Një është Shqipëria, një është Kosova dhe një tjetër po del në Maqedoninë e Veriut, por kemi edhe një të katërt, ku përsëri kriza vjen nga kërkesat e shqiptarëve, që është Mali i Zi. Mendoni se këto janë gjëra që ndodhin rastësisht? Asnjëherë. Në të njëjtën kohë, Vuçiç u detyrua të çojë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem. Këto na japin për të arsyetuar në gjykim gjeneral sepse këto fakte kemi. Gjykimi ynë i përgjithshëm është se po luhet diçka e re në politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe kërkon të involvohet Izraeli.

Unë e kam shkruar 4 ditë më parë se do të kemi goditje të politikës ruse ndaj asaj serbe dhe ndodhi. Madje, Vuçiç po tërhiqet dhe tha se nuk e çon ambasadën në Jerusalem, në rast se ju njihni Kosovën. Të gjitha këto janë në favorin tonë. Por a kemi lidership? Lidershipi ynë është i shitur, drejtohen nga të huajt. Ne kemi vetëm politikën amerikane që synon të ndryshojë politikën në Shqipëri”, u shpreh Ngjela.