Premtimet e Ramës dhe rikthimi i kazinove në qytet

Në vitin 2018, kur njoftonte se do të ndaloheshin me ligj kazinotë, brenda qytetit dhe do të mbylleshin të gjithë pikat e basteve, Edi Rama iu referua disa herë një studimi të vitit 2016, të Universitetit të Tiranës, që thoshte se 1 në 4 kumarxhinj tentojnë vetëvrasjen. Paralelisht, ai tha se qeveria kishte porositur një tjetër studim, gjetjet e të cilit rezultuan të ngjashme. Kumari nuk duhej lejuar në vende të aksesueshme nga të gjithë.

Përjashtim bënin hotelet me 5 yje. Për këtë mori një zotim para zonjave shqiptare: “Do u kthej burrat”. 

Gati dy vjet më pas, duket se kryeministri harroi premtimet dhe vendosi të rikthejë në qendër të kryeqytetit biznesin e kazinove. Nuk donte të binte në sy, ndaj dhe vendimi i miratuar më 2 shtator nga qeveria nuk u publikua asnjëherë në faqen zyrtare të ekzekutivit.

Në tetor të vitit 2018, kur prezantoi nismën dhe rendiste problemet sociale që kumari kishte sjellë në jetën e shqiptarëve, kryeminisri fliste për lidhjet e botës së krimit me këtë biznes. Në 2018, pak para se të ndalonte me ligj lojërat e fatit, kryeministri viktimizohej se krimi po i bënte presion duke kërcënuar edhe deputetët. 

Kryeministri nuk e ka sqaruar ende nëse rikthimi i kazinove në qytet është fryt i këtyre kërcënimeve, ndonëse opozita prej kohësh e rendit atë mes aleatëve të krimit.