Spostimi i Dakos, Rama vendos në Durrës si koordinator Ardian Çelën

Me emërimin e Çelës në krye të fushatës elektorale për Durrësin, Rama ka spostuar automatikisht Vangush Dakon.

Një lëvizje kjo që duket pjesë e një serie të nisur më herët, që parasheh largimin gradual të ish-kryebashkiakut nga funksionet partiake dhe politike në PS.

A2 mësoi se në takim ka qenë prezent edhe vetë Dako, i cili pritet të humbasë edhe karrigen në Kryesinë e re që do të votojnë socialistët.

Pasi mori vetë drejtimin politik të qarkut të Durrësit, shefi i selisë rozë i hoqi ish kryebashkiakut edhe koordinimin elektoral të qyteti bregdetar.

Ish kreu OSSH, Ardian Çela, i cili ka qenë edhe në 2017 në fushatën e Durrësit, do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit elektoral deri në zgjedhjet e 25 prillit.

Në zgjedhjet e 2017, socialistët fituan në Durrës 8 nga 14 mandate që ka ky qark. Kërkesat e kryesocialistit janë bërë edhe më të mëdha, kur në lojë është mandati i tretë qeverisës, me të cilin Edi Rama kërkon të shkruajë historinë e partisë së tij, si e para në pluralizëm që shkon përtej 8 viteve radhazi në pushtet.