BE ultimatum Turqisë: Kthehu në negociata ose përballu me sanksione

KR BE SANKSIONET TURQIA.duplicate frame 1595 1100x620

Bashkimi Europian shton presionin ndaj Turqisë lidhur me tensionet me Greqinë. Brukseli ka përpiluar një listë me sanksione të reja kundër Turqisë, të cilat do të hyjnë në fuqi në fund të shtatorit nëse Ankaraja nuk pranon të ulet në tavolinën e negociatave për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Athinën dhe Nikosian.

Vendimi erdhi pas samitit të shteteve të Mesdheut, anëtare të Bashkimit Europian që u mbajt në Korsikë të Francës.

“Kemi përkufizuar, ashtu siç bëmë në verë me kancelaren gjermane, një agjendë të përbashkët për të respektuar sovranitetin europian si dhe ligjin ndërkombëtar në favor të zbutjes së tensioneve. Ne shprehëm një mesazh të qartë në mbështetje të Greqisë dhe Qipros, një mesazh solidariteti dhe mbështetje përballë provokimeve të njëanshme, operacioneve kërkimore ilegale që kërcënojnë sovranitetin europian”, tha Macron.

Përballë kërkesës së Unionit, Turqia u shpreh e gatshme për dialog dhe paralajmëroi se nëse Greqia do të vendoste parakushte, të njëjtën gjë do të bënte dhe ajo. Gjithashtu kërkoi që BE të jetë e paanshme në negociata.

“Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur që BE nuk ka juridiksion mbi konfliktet për kufijtë detarë. Gjithashtu nuk ka kompetenca në caktimin e kufijve detarë. Pozicioni i BE-së në Mesdheun Lindor është i padrejtë dhe jo në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu.

Tensionet arritën kulmin mes vendeve të BE-së dhe anëtarit të NATO-s, Turqisë, pasi Ankaraja ndërmori një operacion kërkimor për gaz dhe naftë në disa pjesë të Mesdheut lindor, një territor që pretendohet edhe nga Greqia e Qipro. Mosmarrëveshjet kanë arritur shpesh në një pikë, ku nuk është përjashtuar dhe mundësia e përplasjes ushtarake, edhe pse të gjitha shtetet janë pjesë e NATO-s.