Çështjet në Arbitrazh, ekspertët: Të respektohen kontratat, ndëshkim për zyrtarët

Shkelja e kontratave nga ana e përfaqësuesve të qeverisë është arsyeja kryesore që i detyron investitorët të dërgojnë çështjet në Arbitrazh dhe cenojnë klimën e biznesit në vend, siç evidentohet edhe në raportin e fundit të DASH.

Rasti i fundit është ai i kompanisë AKTOR, që gjykata ndërkombëtare i dha të drejtën e dëmshpërblimit prej 44 milionë dollarësh për shkelje në kontratën e rrugës Tiranë-Elbasan.

Sipas ekspertëve Majlind Lazimi dhe Arbi Agalliu, garantimi i kontratave duhet të jetë një e drejtë thelbësore, si për shtetin, ashtu edhe për investitorin, në mënyrë që të mbrohet sa më mirë interesi publik.


Të dy ekspertët theksojnë si të domosdoshëm vendosjen e mekanizimit të ndëshkimit për zyrtarët që marrin vendime arbitrare në raste të tilla, të cilët deri më sot i kanë shpëtuar një gjykimi të tillë, pavarësisht se kanë shkaktuar kosto financiare me miliona euro për të gjithë shqiptarët.

Sipas vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, sot buxheti i shtetit duhet të paguajë 153,4 milionë euro si pasojë e vendimeve arbitrare të qeverisë ndaj dy kompanive Bechetti dhe Aktor.